Prej më shumë se 18 vitesh ajo ecën dy orë në këmbë çdo ditë, mes erës e shiut, diellit e dëborës, për të mbërritur aty ku e presin fëmijët e fshatit Novoselë, për t’i edukuar e rritur. Sot ajo këtë rrugë e bën për 7 fëmijët e vetëm të këtij fshati.
Edukatore Neti, siç e njohin banorët e zonës, tregon se kur pasioni është në krye, nuk ka vështirësi që mund të mposhtë misionin e saj.
“Po bëj rreth 18 vjet që jam në punë, ec dhe çlodhem. Kur është kohë e keqe, një orë shkoj, një orë kthehem, kur është kohë e mirë 45 minuta. Po tani fshati i ka të gjitha këto, rrugën, vështirësinë, por është kënaqësi kur mbërrin në vend, dalin fëmijët para dhe kënaqin. Kur sheh një fëmijë në shtëpi, të heq lodhjen, nuk dua ta di fare se jam në fshat. Është fëmija mbi të gjitha. Vështirësi të mëdha”, thotë Mesnete Seitaj.
Neti tregon se vitet e shpenzuara në Novoselë kanë bërë që të bëhet si banore e këtij fshati, edhe pse shpopullimi ka ndikuar.
“Vetëm shtëpia më mungon, me gjithë banorët njihem dhe për këtë nuk jam larguar. I falënderoj të gjithë. Jam bërë pjesë e fshatit. Unë kam fëmijë në kopsht e shkollë, kam 7 fëmijë këtë vit, kam pasur 10-15, ka rënë numri i fëmijëve”, thotë Mesnete Seitaj.
Mesnete Seitaj është gruaja heroinë, pasi është e vetmja në shtëpinë e saj që punon, me një bashkëshort me probleme shëndetësore. Ajo ka një thirrje për ata që duan të bëhen pjesë e mësimdhënies.
“Arsyeja është e madhe, është kënaqësia që gjysmën e ditës e kalon me fëmijët. Plus ekonomia. Jam e vetmja që punoj, bashkëshorti është në KEMP, në një farë forme, si gjithë nënat që përpiqen. Mos zgjedhin vendin ku do shkojnë, zgjedhin punën që të jetojnë, mos e shohin në thonjëza qiellin, por të ardhmen e tyre, prindërit, familjen”, thotë edukatore Neti.
Në fshatin ku heshtja është më e madhe se zërat e banorëve, edukatorja Neti ngelet britma e madhe e shembullit pozitiv, për të ushqyer me dije fëmijët e pakët të kësaj zone.