10-ditëshi i fundit i këtij muaji është ai që merr dhe vëmendjen më të madhe të besimtarëve pasi atz ndodhet dhe Nata e Kadrit, nata më e rëndësishme e këtij muaji, që sipas disa dijetarëve të Islamit mendohet të jetë në ditën e 27 të Ramazanit e cila përkon me mbrëmjen e të mërkurës së 26 marsit duke gdhirë e enjtja: agjërimi, namazet, lëmoshat dhe të gjithë veprat e mira që bëhen në këtë ditë konsiderohen të vlefshme sa një mijë muaj.
Përse është kaq e rëndësishme kjo natë? Nata e Kadrit shënon zbritjen e Kuranit në tokë dhe fillimin e shkrimit të librit të shenjtë. Sipas dijetarëve, agjërimi dhe lutjet ndaj Zotit në këtë ditë përcaktojnë fatin dhe jetën e njeriut nga Zoti gjatë një viti, prandja në këtë ditë zgjedhin të agjërojnë jo vetëm besimtarë myslimanë, por edhe të tjerë.
Myslimanët besojnë se Kurani iu zbrit profetit Muhamed në shpellën Hira në Mekë. Në Kuran nuk përmendet ndonjë datë specifike, por thuhet se Nata e Kadrit është në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit dhe zakonisht kërkohet në datat teke.
Besohet se janë disa shenja që e përcaktojnë këtë natë, duke nisur nga ndriçimi i diellit, tek shiu i lehtë që mund të bjerë, era që nis e fakti që nuk bën as e nxehtë dhe as e ftohtë. Por edhe shenja të tilla nuk janë mjaftueshëm për të arritur një gradë sigurie të plotë, pasi ato mund të variojnë sipas vendit e stinës.
Be First to Comment