Sarandë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Fortuna”.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë, lokalizohen dhe arrestohen dy shtetas që tentuan të vidhnin sende dhe vlera monetare në kishën e Ksamilit dhe ushtruan dhunë ndaj rojes.
Dy të arrestuarit të dyshuar dhe si autorë të vjedhjes së 5 banesave në fshatrat e Bashkisë Finiq.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë pas marrjes së njoftimit, më datë 01.02.2025, rreth orës 17:00, se dy persona po tentonin të vidhnin sende dhe vlera monetare në një kishë në Ksamil, kanë organizuar punën dhe janë nisur menjëherë drejt vendngjarjes.
Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, në kuadër të operacionit “Fortuna”, u kapën në flagrancë gjatë përpjekjes për t’u larguar, dy autorët e dyshuar, shtetasit:
• E. Sh., 39 vjeç, banues në Sarandë;
• G. M., 49 vjeç, banues në Sarandë.
Gjatë tentativës për vjedhje, dy autorët e dyshuar kanë dëmtuar objekte brenda kishës dhe kanë dhunuar fizikisht rojen e kishës.
Nga hetimet rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, për të cilët vijon puna për identifikimin dhe kapjen, janë autorë edhe të vjedhjes së pesë banesave në fshatrat e Bashkisë Finiq, ku kanë vjedhur sende të ndryshme dhe vlera monetare.
Materialet procedurale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprat penale “Shkatërrimi ose dëmtimi i objekteve të kultit” dhe “Vjedhja me dhunë”, të kryera në bashkëpunim.
Kjo media online është një përpjekje e disa gazetarëve profesionistë, për të parë përtej lajmit. Ne jemi krijuar vetëm për interesin publik, në shërbim të vendit dhe të demokracisë. Ne do të shkruajmë për çdo fenomen në Shqipëri dhe trevat shqipfolëse, do të denoncojmë çdo zyrtar të korruptuar, do të sjellim investigime, reportazhe, video dhe materiale ekskluzive.
Vox News, për ta parë të vërtetën ashtu siç është, jo siç hiqen ta shesin!